Skip to main content

Federata Atletike e Shqiperise

KONGRESI BALLKANIK I ATLETIKËS 2026 MBAHET NË TIRANË

14 tetor 2026 | Tiranë, Shqipëri

Më 14 tetor 2026, Tirana u bë qendra e atletikës ballkanike, duke mirëpritur Kongresin e Balkan Athletics, një takim i rëndësishëm që bashkoi përfaqësues të 22 vendeve anëtare për të diskutuar zhvillimin e atletikës, bashkëpunimin rajonal dhe prioritetet e së ardhmes.

Kongresi u organizua nga Federata Shqiptare e Atletikës, e cila mirëpriti delegacionet pjesëmarrëse në kryeqytetin shqiptar, duke krijuar një hapësirë për dialog, shkëmbim përvojash dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet federatave kombëtare.

Punimet e kongresit nisën me fjalën hapëse të Presidentit të Balkan Athletics, z. Slobodan Branković, dhe vijuan me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mëparshme dhe të axhendës së vitit 2026.

Një nga pikat kryesore të diskutimeve ishte raporti vjetor i Sekretarit të Përgjithshëm, z. Predrag Momirović, i cili paraqiti një pasqyrë të veprimtarisë dhe zhvillimeve të organizatës. Gjithashtu, delegatët diskutuan kalendarin e garave për vitin 2027, duke vlerësuar rëndësinë e koordinimit të aktiviteteve sportive dhe krijimit të mundësive të reja për atletët e rajonit.

Në fokus të kongresit ishte edhe e ardhmja e drejtimit të atletikës ndërkombëtare dhe evropiane, përmes diskutimeve mbi kandidaturat për Presidencën e World Athletics dhe Këshillin e European Athletics, në prag të zgjedhjeve të vitit 2027. Diskutimet për zhvillimin e mëtejshëm të atletikës ballkanike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet federatave përmbyllën një axhendë me rëndësi për të ardhmen e sportit në rajon.

Për Federatën Shqiptare të Atletikës, organizimi i këtij kongresi përfaqëson një moment të rëndësishëm dhe një mundësi për të promovuar Shqipërinë si një partnere aktive në zhvillimin e atletikës ballkanike dhe evropiane.

Përmes këtij organizimi, Tirana konfirmoi edhe një herë rolin e saj si një pikë takimi për bashkëpunimin sportiv, duke përcjellë mesazhin e unitetit, solidaritetit dhe angazhimit të përbashkët për një të ardhme më të mirë të atletikës.

Federata Shqiptare e Atletikës falënderon Balkan Athletics , Bashkinë e Tiranës dhe të gjitha delegacionet pjesëmarrëse për bashkëpunimin dhe kontributin në realizimin me sukses të këtij aktiviteti.