15.11.2026
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës (FShA), organizuan edicionin e 10-të të Maratonës së Tiranës, një prej aktiviteteve më të rëndësishme sportive në vend, që këtë vit mblodhi rreth 6,000 pjesëmarrës nga e gjithë bota.
Një event madhor, që bashkoi vrapues profesionistë dhe amatorë në distanca të ndryshme, duke e kthyer Tiranën në një qendër të madhe të aktivitetit sportiv dhe në një festë të vërtetë të vrapimit.
Në këtë edicion, atletët shqiptarë spikatën me rezultatet e tyre, duke siguruar fitore në disa prej kategorive kryesore.
Fituesit shqiptarë :
Femra
* 5 km – Ajla Doda
* 10 km – Elizabeta Marku
* 21 km – Redia Dauti
* 42 km – Luiza Gega
Meshkuj
* 10 km – Dmytro Didovodiuk
* 21 km – Bledar Mesi
* 42 km – Fatjon Konomi
Një rezultat veçanërisht domethënës ishte suksesi i atletikës shqiptare, e cila siguroi gjithsej 13 podiume në garat e këtij edicioni. Ky rezultat dëshmon potencialin e sportistëve tanë dhe punën që zhvillohet në klubet anëtare të Federatës Shqiptare të Atletikës.
Vlerësim i veçantë shkon për Klubin Sportiv Fortius & Klubin Tirana, anëtarë të FShA-së, duke konfirmuar edhe një herë suksesin e tyre në zhvillimin e atletikës shqiptare.
Federata Shqiptare e Atletikës shpreh mirënjohjen për Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin në organizimin e këtij aktiviteti, si dhe për të gjithë organizatorët, klubet, trajnerët, sportistët, vullnetarët dhe pjesëmarrësit që kontribuuan në suksesin e tij.
Rezultatet e këtij edicioni janë një motivim për të vijuar punën në mbështetje të sportistëve, klubeve dhe brezave të rinj, me synimin për një të ardhme edhe më të suksesshme të atletikës shqiptare.