Skip to main content

Federata Atletike e Shqiperise

Mbrëmja Gala e Balkan Athletics në Tiranë – Një natë vlerësimi dhe mirënjohjeje

Tiranë, 14 tetor 2026

Pas përfundimit të Kongresit të Balkan Athletics, Tirana mirëpriti mbrëmjen Gala, një event solemn që bashkoi drejtues të atletikës ballkanike dhe evropiane, përfaqësues të federatave kombëtare dhe personalitete të sportit.

Mbrëmja Gala u mundësua me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në mbështetje të sportit dhe në promovimin e kryeqytetit shqiptar si një destinacion për organizimin e aktiviteteve sportive ndërkombëtare.

Mbrëmja u shënua nga ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe mirënjohjeve, duke vlerësuar kontributin e federatave kombëtare në organizimin e Kampionateve Ballkanike gjatë vitit 2026, si dhe angazhimin e tyre në zhvillimin dhe promovimin e atletikës në rajon.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua sportistëve më të mirë të sezonit, të cilët u nderuan për rezultatet e arritura, përkushtimin dhe performancat e tyre përgjatë vitit. Çmimet përfshinë kategoritë Female Rising Star, Male Rising Star, Best Female Athlete of 2026 dhe Best Male Athlete of 2026, duke vënë në pah talentet e reja dhe sportistët që spikatën në atletikën ballkanike.

Në kuadër të mbrëmjes u ndanë gjithashtu mirënjohje të veçanta për Presidentin e Balkan Athletics, z. Slobodan Branković, për besimin e dhënë Shqipërisë për organizimin e këtij kongresi historik, si dhe për Presidentin e European Athletics, z. Dobromir Karamarinov, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj atletikës shqiptare.

Për Federatën Shqiptare të Atletikës, organizimi i Kongresit dhe i mbrëmjes Gala përbën një moment të rëndësishëm, që dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të sportit.

Mbrëmja Gala e Tiranës përcolli një mesazh të qartë: atletika nuk është vetëm garë dhe rezultate, por edhe miqësi, respekt, bashkëpunim dhe vlerësim i përbashkët i arritjeve sportive.